Monumentet dhe statujat e dr. Djallit shqiptar, Enver Hoxha, ishte e kollajshme t’i hiqje qafe, po më e vështirë ishte që të hiqje emrin e tij të shkruar në malet mbi qytete. Emri i despotit që sundoi këtë vend të vogël është i ngurtësuar me acid në malet përreth Beratit dhe me sa duket do të jetë aty për shumë kohë. Janë këto “çudirat”, për të cilat vendi më i keqkuptuar i Evropës është shumë i njohur. Padyshim është një vend i çuditshëm, por është dhe vendi më i leverdishëm, më pak i globalizuar dhe tërheqës i asaj që po bëhet njësh në një njësi më vete, siç është Evropa. Monumentet dhe statujat e dr. Djallit shqiptar, Enver Hoxha, ishte e kollajshme t’i hiqje qafe, po më e vështirë ishte që të hiqje emrin e tij të shkruar në malet mbi qytete. Emri i despotit që sundoi këtë vend të vogël është i ngurtësuar me acid në malet përreth Beratit dhe me sa duket do të jetë aty për shumë kohë. Janë këto “çudirat”, për të cilat vendi më i keqkuptuar i Evropës është shumë i njohur. Padyshim është një vend i çuditshëm, por është dhe vendi më i leverdishëm, më pak i globalizuar dhe tërheqës i asaj që po bëhet njësh në një njësi më vete, siç është Evropa. Unë personalisht përjetova gati të gjitha çuditë shqiptare, ashtu si edhe sharmin dhe tërheqjen unike që ky vend të imponon. Hoteli më i ri i qytetit mbante një ari të mbyllur në kafaz, gjë që nuk më bëri më përshtypje që pas javës së parë në Shqipëri. Bëra gabim që iu afrova shumë kafazit, se ariu me një lëvizje të rrufeshme më rroku prej krahu dhe unë e kundroja teksa kishte dorën time në putrat e veta…hapi gojën dhe filloi… të më lëpinte. Bruno është një arush i mbetur jetim, pasi disa romë i vranë të ëmën në malet mbi qytet. Në fillim të fut frikën dhe të habit pa masë, por në fakt ai ishte i këndshëm dhe i dha jetë qëndrimit tim në Berat.

Ashtu si vetë Shqipëria, Berati është në udhëkryq të kulturave greke, otomane dhe asaj të Evropës Perëndimore. I njohur ndryshe si qyteti i mijëra dritareve, emër ky që i buron nga vendosja e njëpasnjëshme e shtëpive të gurit njëra mbi tjetrën, Berati është kulminant dhe shumë i rëndësishëm për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. E shkuara e qytetit është më se e pranishme sapo vizitohet kështjella e madhe mesjetare, që ngrihet në malin mbi qytet. Sapo kapërcehen muret e kështjellës, surpriza e parë është gati: në këtë kompleks të shekullit të 13-të jetojnë akoma njerëz, janë rreth 150 familje të shpërndara në platenë brenda kështjellës. Përgjatë gjithë kësaj hapësirë ka plot burra të moshuar që shesin qeleshe për turistët. Në muze ke fatin të shikosh shumë ikona të kishës ortodokse të shekullit të 16-të, edhe pse ciceroni i muzeut vazhdon të përsërisë se gati 70 % e artikujve që gjenden në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë në Tiranë (kryeqyteti i vendit) janë marrë nga muzeu i Beratit. Duket se ky qytet fsheh nga një surprizë pas çdo qosheje. Gati sa nuk u përplasa me një nuse veshur me të bardha, teksa ajo po i ngjitej një kodre për të shkuar në një nga tetë kishat që gjenden përreth, për t’u kurorëzuar në martesë. Mes gurëve të këtij qyteti pashë një vizion të rrufeshëm të një përralle makabre: një i shkretë që vuante nga gjigantizmi me zor ngjiste shkallët, këmbët e tij të shtrembëruara tërhiqeshin përgjatë kalldrëmit, ai ktheu kokën e tij gjigande drejt meje duke më transmetuar një ndjenjë dhimbjeje. Pas shtëpive ngrihet krenare një xhami e kuqe, si simbol i historisë shqiptare të tolerancës fetare. Në shumë qytete shqiptare mund të gjenden kishat katolike e ortodokse e xhamitë në të njëjtën lagje. Shumica e shqiptarëve e cilësojnë vetën si shqiptarë në radhë të parë, feja kalon në plan të dytë. Edhe gjatë pushtimit të saj nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë strehëz e sigurt për hebrenjtë, sot e kësaj dite është selia e sektit mistik mysliman, Komunitetit Bektashi.

Paranoja dhe tirania

Por në të shkuarën e Shqipërisë jo gjithçka ka shkuar vaj. Ajo që duket nga maja e një lagjeje të qytetit të Beratit larg qendrës së vjetër historike, është dëshmitare e paepur e një grupi ndërtesash të stilit sovjetik. Gjatë viteve 1945-1985, Shqipëria vuajti ndoshta regjimin më represiv e shtypës të botës, regjimin e Enver Hoxhës, një tiran paranojak, i cili mbylli kufijtë, i privoi qytetarët e tij prej të gjitha të drejtave, ndaloi çdo gjë private dhe ndërtoi qindra-mijëra bunkerë, për të mbrojtur vendin nga pushtuesit imagjinarë.

Tamam pas xhamisë, pashë se si punëtorët i ishin përveshur punës duke rikonstruktuar një kishë, afresket e së cilës ishin lyer me gëlqere gjatë regjimit të Enver Hoxhës, veprim ky i inspiruar nga revolucioni kulturor kinez i vitit 1967, duke ndaluar gjithë besimet fetare në vend. Lakenjtë e Hoxhës ekzekutuan klerin dhe i kthyen kishat e xhamitë në kinema e pallate sporti, në mos i shembën fare. Berati duket se shpëtoi duke u shpallur qytet muze, por gjithsesi nuk mundi t’i shmangej gëlqeres.

Duke kërkuar disi paqe e çlodhje në Shqipërinë e sotme, ndalova në një nga shumë lokalet që ofrojnë kafe turke në qytet, lokale tipike për klinetelën e tyre tërësisht mashkullore, që ia merr shtruar bisedës në pushimin e kohës së drekës, duke kombinuar cigaren me surbat e kafesë në filxhanët e vegjël. Ndërsa për të ngrënë aty përreth, kisha mundësinë të zgjidhja mes një sallate greke, shnizeli gjerman apo qebapi. Duke qenë afër bregut, menysë mund t’i shtohet dhe pica italiane, gjë që e bën më të pasur përzierjen e kulturave në Shqipëri.

Pushtuesit otomanë kanë lënë gjurmët e tyre jo vetëm tek kafeja dhe qebapi, por dhe në arkitekture dhe mënyrën e jetesës dhe këtë gjë e përforcoi vizita që bëra në Muzeun Etnografik të Beratit. Një shtëpi tradicionale prej druri e stilit otoman e shekullit të 19-të me punime të gdhendura në dru që mbulonin muret, duke i bërë jehonë shajakut të punuar prej grave të kështjellës. Me sa mësova më vonë, ato zbukurimet e varura në mure shërbenin për të mbyllur ballkonet, nga ku gratë dhe vajzat e familjes kundronin miqtë që priteshin prej burrave të shtëpisë në odën kryesore të shtëpisë.

Veshjet prej lëkure të regjur dhe mjetet e punës primitive në muze flasin qartë për një jetesë tradicionale rurale në malet e Shqipërisë. Ajo më solli ndër mend dhe gjakmarrjen e famshme, për të cilën Shqipëria është dëgjuar përtej kufijve. Në një version ballkanik të Hatfields kundër Mçoys, familjet në gjak përpiqeshin të shuanin njëra-tjetrën me breza me radhë, për shkak të cenimit më të vogël që i bëhet nderit ose krenarisë. Duke qenë se guida gati më kishte shtypur gishtin kur mbylli derën e makinës, po mendoja nëse kjo gjë mund të konsiderohej nga unë si një arsye e mundshme për të filluar hakmarrjen.

Jashtë, fëmijët luanin futboll, ndërkohë që të rriturit flisnin për kampionatin evropian në prag dhe për rivalin e vjetër grek. Një çift të fortësh ishte në cep, duke dëgjuar muzikë me zë të lartë nga një BMW e kohëve të fundit dhe varëse floriri në qafë, si simbol i mirëqenies. Ashtu si shumë qytete shqiptare, Berati ka një pike “Western Union”, në të cilën vendasit shkojnë rregullisht të marrin paratë që u sjellin të afërmit që punojnë jashtë vendit.

Edhe gjallëria e jetës së natës në Berat vjen po nga jashtë kufijve. Një nga këngëtarët më seksi të popit, një mustaqelli, i cili me aq sa pashë nga posterat dhe billbordet dukej si një version mbipeshë i Boratit.

Eko-turizmi shqiptar

Unë në vend që të ndiqja koncertin recital të këngëtarit bullgar, vendosa të nisem për një udhëtim në male të nesërmen. Në fakt Berati përfaqëson të ardhmen e eko-turizmit në Shqipëri. Ka kompani që ofrojnë ekskursione në male dhe kampingje ekspeditash mes majave të thepisura të malësive të largëta të Shqipërisë Qendrore. Udhëtimi im përfshinte raftin (udhëtim me gomone) në lumë, një aventure ad hoc e krijuar nga pronari i hotelit “Castle Park” dhe disa miq me një varkë, ca lopata dhe një leje për vozitje në lumë. Gjatë udhëtimit tonë thellë në male, kaluam disa lavazhe buzë rrugës, ndoshta duke treguar edhe një herë krenarinë e shqiptarëve për të drejtën e fituar së fundmi, atë të zotërimit të makinave.

Duke iu referuar kësaj të fundit, një gjë që më bëri përshtypje është dhe fakti i qindra pllakave përkujtimore anës rrugëve që tregojnë për numrin e aksidenteve. Sa më shumë që futeshin në zemër të maleve, aq më të shpeshta bëheshin rastet kur “Mercedese”-t dhe “Audit”-et e qyteteve zëvendësoheshin nga karrocat me kalë dhe mjetet aq të vjetruara, saqë dukeshin sikur kanë dalë nga filmat. Vazhduam udhëtimin në një rrugë që ka qenë e ndaluar gjatë regjimit të Hoxhës, sepse të çonte drejt zonave ushtarake dhe një fabrike të rrënuar, por që akoma të bën përshtypje, në të cilën janë ndërtuar mijëra AK-47 (“Kallashnikov”) gjatë viteve ‘70. Ka ndodhur vërtet? Ka zëra që thonë se fabrika aktuale është varrosur thellë mes maleve dhe i gjithë kompleksi sipërfaqësor ishte një godinë false e stisur, për të gënjyer armikun e ideuar nga paranojaku Hoxha. Pasi lamë pas qytetin fantazmë, ngela pa mend kur më kapi cepi i syrit një kukull të kryqëzuar në një shtyllë betoni. Godina tjetër gjysmë e mbaruar kishte një elefant pelushi varur në një mur të sajin. Këto skena vazhdonin më tej me “masakrimin” e arushëve, kukullave Barbi dhe breshkave ninxha - të gjitha si shenjë e sakrificës në majë të objekteve në ndërtim. M’u tha që kjo gjë bëhej për fat, po kurrë se kuptova përse-në.

Kaluam përbri fshatrave ku pashë burra e gra të moshuar veshur në të zeza dhe me shami të bardha, që ecnin në fusha duke korrur bar me kosë, siç kanë bërë paraardhësit e tyre për qindra vjet. Në mendje më shkon se çfarë kanë menduar teksa kemi kaluar aty me makinën tonë “Land Rover” me majë portokalli…mbase kanë menduar që ishte një modë tjetër kalimtare si ajo e fabrikave, kështjellave, komunizmi, kapitalizmi dhe gjithë ato besime që ishin në garë për të tërhequr besimtarë. Ne duket se s’lamë asnjë gjurmë në ritmin e fermës përkarshi.

Ishte mesi i verës, kështu që lumi nuk ishte shumë i fryrë kur mbërritëm. Shikuam nga shkëmbinjtë përtej tij dhe m’u duk sikur isha në Parkun Kombëtar të Zionit, në Utah. Anët e lumit ishin me rërë të pastër, një ndryshim i madh me plazhe të tjera në Shqipëri ku mund të gjesh plehra.

Nisëm kështu lundrimin që do zgjaste gati gjysmë dite dhe nuk pamë këmbë njeriu gjatë asaj kohe. Kaluam ujëvara, ndoqëm rrjedha, pamë shpella të fshehura dhe rrjeta të vogla peshqish të përgatitura po nga peshkatarë të fshehur.

Kisha ndjesinë se po lundroja në kanionin e madh të Kolorados para 100 vjetësh, para se dikujt t’i kishte ardhur ndër mend ideja ta kthente atë në një vend turistik. Vetëm kur u kthyem, pashë një grup fëmijësh që hidheshin nga shkëmbinjtë në ujë, vendas që i gëzoheshin një dite të ngrohtë vere.

Xhiro e mbrëmjes

Në qytetin e Beratit ndërkohë vendasit çlodheshin në mënyrën më të mirë që dinin: një xhiro nëpër qytet. Çifte të reja e të vjetra kapur për dorë që shëtisnin buzë Osumit ose duke kapërcyer urën e rem ose duke ecur si në kohët e vjetra buzë drurëve. Ashtu si fermerët, ata e kanë parë ndryshimin, po u qëndrojnë besnikë zakoneve të vjetra, të cilat duket se ia dalin për bukuri.

Në hotel pamë një video raftingu në një ekran gjigand në kopsht, duke shijuar një meny monumentale shqiptare të pasur me mishra, bulmetra, sallata dhe ëmbëlsira.

Një qen pastor gjerman i madh që kalonte aty pari nuhati ushqimin, përpiu me sy mishin dhe u sul drejt nesh duke iu avitur Brunos, ariut në kafaz. Syreshi e hoqi qafe me një të ngritur të putrës, duke i vënë kapakun me një surprizë të fundit kësaj ditë në Berat.

BILL FINK; “SAN FRANCISKO CHRONICLE”

Përgatiti: Altin Vorpsi (Gazeta Standard)